Zogaj: Përgjegjësia për zhbllokimin e institucioneve bie mbi fituesin e zgjedhjeve – Qeveria gjithëpërfshirëse, zgjidhja më e mirë

Zogaj: Përgjegjësia për zhbllokimin e institucioneve bie mbi fituesin e zgjedhjeve – Qeveria gjithëpërfshirëse, zgjidhja më e mirë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Alban Zogaj, në një deklaratë për Kosova.info, ka theksuar se deputetët nuk janë të papërgjegjshëm, por përballen me kokëfortësinë politike të partisë fituese të zgjedhjeve, e cila sipas tij nuk po bën asnjë përpjekje për krijimin e institucioneve të reja.

“Absolutisht jo, deputetët nuk janë të papërgjegjshëm. Çdo të dytën ditë jemi në vendin tonë të punës, sepse e kemi obligim të votojmë sipas qëndrimeve tona politike. Por kjo kokëfortësi dhe kryeneçësi është duke ardhur prej partisë që i ka fituar zgjedhjet dhe që ka për detyrë të krijojë institucionet – e që nuk po bën as përpjekjen më të vogël për këtë,” u shpreh Zogaj për Kosova.info.

Ai nënvizoi se për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit nevojitet një shumicë politike me të paktën 61 vota dhe një marrëveshje mes partive, çka aktualisht mungon. “Nuk mund të na imponohet një emër si Albulena Haxhiu dhe të na thuhet se duhet ta votojmë. Pse pikërisht ajo?”, pyeti ai.

Zogaj shtoi se ekzistojnë mundësi të shumta për kandidat të kryetarit të Kuvendit. “A kanë kandidat tjetër? Po qysh s’kanë. I kanë 48 kandidatë potencial që munden, e mandej munden edhe të partive tjerë politike. Pra potencialisht, teorikisht 120 kandidatë për kryetar kuvendi i ka Kuvendi i Kosovës,” theksoi ai.

Deputeti i LDK-së ritheksoi se zgjidhja më e mirë për dalje nga kriza është propozimi i partisë së tij për formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse deri në pranverën e vitit të ardhshëm. “Hajde bëhemi bashkë, krijojmë institucionet, votojmë marrëveshjet ndërkombëtare, i rrisim pagat dhe e përgatisim vendin për zgjedhjet lokale e pranverore. Kjo është rruga më e mirë për të zhbllokuar vendin,” deklaroi ai.

Në fund, Zogaj falënderoi qytetarët për durimin dhe kulturën demokratike, por theksoi nevojën për presion publik ndaj fituesit të zgjedhjeve. “Presioni duhet të drejtohet te ai që ka mandatin. Ai duhet të mos flejë natën duke kërkuar zgjidhje për vendin, e jo të sillet me komoditet dhe pa rezultate çdo të dytën ditë,” përfundoi Zogaj për Kosova.info.

Leave a Reply

Your email address will not be published.