Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, deklaroi se partia e tij ka fituar, prin dhe është në garë në gjithsej 12 komuna, ndërsa tha se procesi zgjedhor i 12 tetorit ishte demokratik dhe i drejtë. Përparim Rama, kandidat për kryetar të Prishtinës, theksoi se qytetarët dhanë një mesazh të qartë për zhvillim dhe transformim të kryeqytetit.
Abdixhiku: LDK ka fituar, prin dhe është në garë në 12 komuna
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në një konferencë për media pas përfundimit të procesit zgjedhor të 12 tetorit, tha se LDK ka arritur një fitore të madhe duke prirë në 12 komuna të vendit.
“Dua t’i falënderojë votuesit e LDK-së që më 12 tetor na dhanë një mbështetje të jashtëzakonshme në këto zgjedhje lokale. LDK në këtë konferencë konfirmon se ka fituar, prin dhe është në garë në gjithsejtë 12 komuna. Pra, 12 tetori është i 12 komunave të LDK-së”, deklaroi Abdixhiku.
Ai njoftoi se LDK ka fituar në raund të parë në Istog, Lipjan dhe Junik duke uruar Ilir Feratin, Imri Ahmetin dhe Ruzhdi Shehun për këto fitore. Ndërkohë, në Pejë, Abdixhiku tha se kandidati Gazmend Muhaxheri është shumë afër përmbylljes së garës që në raund të parë, me rreth 49 për qind të votave duke pritur që votat e mërgatës ta kalojnë këtë prag.
Abdixhiku: Pas 12 vitesh, LDK është parti e parë në Prishtinë
Kreu i LDK-së theksoi se rikthimi i LDK-së si forcë e parë në Prishtinë është një moment i rëndësishëm pas 12 vitesh.
“Në Prishtinë pas 12 vitesh LDK është parti e parë edhe për kandidat edhe për kuvend komunal. Ky kthim është shenjë e një pune të madhe të Përparimit dhe e forcimit të vërtetë të LDK-së”, tha ai.
Sipas Abdixhikut, LDK po prin gjithashtu në Viti, Obiliq dhe Dragash, ndërsa është në balotazh në Fushë Kosovë, Suharekë, Gjilan dhe Rahovec.
Abdixhiku: LDK fituese e zgjedhjeve lokale
I pyetur për mundësinë e një koalicioni në nivel qendror me Lëvizjen Vetëvendosje, Abdixhiku nuk deshi të komentojë duke thënë se sonte është nata e festës për rezultatet lokale.
“Ne jemi të gatshëm sonte të bëjmë festë, nesër të vazhdojmë punën për fitoret që na presin në 9 komuna tjera. Tetë muaj më parë kisha pranuar humbjen, tetë muaj më pas, me krenari shpall LDK-në fituese të zgjedhjeve lokale”, u shpreh ai.
Sipas Abdixhikut, në Prishtinë me mbi 70 për qind të votave të numëruara, Përparim Rama ka rreth 36 për qind të votave.
Rama: Qytetarët dhanë mesazh për zhvillim, vizion dhe transformim
Kandidati për kryetar të Prishtinës dhe kryetari aktual, Përparim Rama, tha se qytetarët e kryeqytetit dhanë një mesazh të fortë për vazhdimësinë e zhvillimit dhe transformimit të Prishtinës.
“Sot u vërtetua se projektet e mëdha dhe programi ynë për transformimin e Prishtinës kanë marrë legjitimitetin e plotë për katër vitet e ardhshme. Qytetarët dhanë një mesazh të qartë – duam zhvillim, vizion dhe transformim në një qytet metropolitan”, tha Rama.
Ai shtoi se është i gatshëm të bashkëpunojë me secilin që i bashkohet vizionit të tij për një Prishtinë moderne dhe gjithëpërfshirëse.
“Kushdo që bëhet pjesë e vizionit tonë, jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me secilin që i bashkohet këtij transformimi të mirëfilltë për qytetarët e kryeqytetit,” përfundoi Rama.
Rezultatet preliminare për Prishtinën
Sipas të dhënave preliminare të KQZ-së, në Prishtinë prin Përparim Rama me 33,76 për qind (34,752 vota), pasuar nga Hajrullahu Çeku i Lëvizjes Vetëvendosje me 33,05 për qind (34,022 vota), ndërsa Uran Ismaili i PDK-së ka marrë 27,77 për qind (28,588 vota).

Leave a Reply